Njëri nga liderët e VLEN, Izet Mexhiti, në një intervistë për Alsat-M ka thënë se partia është dakorduar për modelin me bashkëkryetarë, për të organizuar më mirë strukturën e saj si parti politike.
“Pas shumë debateve dhe argumentesh, pro dhe kundër, u dakorduam që modeli më i përshtatshëm për VLEN është të ketë bashkëkryetarë, bashkë me Bilall Kasami,” tha Mexhiti.
Ai shtoi se janë dakorduar rreth ideologjisë së VLEN, që do të jetë më shumë qendër e djathtë.
“Është zgjedhur modeli i lidershipit që është një risi. Karakteristikë e VLEN është dialogu dhe jo vendimet autokrate. Edhe pse është modeli i bashkëkryetarëve, brenda kryesisë vendimet do të merren me konsensus; nëse ka ndonjë dilemë, do të shkohet me shumicë absolute, jo të thjeshtë. Krejt kjo është në funksion të demokratizimit të skenës politike,” tha Mexhiti.
Sipas tij, ndryshimet në Kosovë kanë pasur efekt edhe në kampusin politik shqiptarë në Maqedoni, dhe VLEN është pjesë e këtij rrjeti politik. “Në retrospektivë, ka qenë koalicioni LEN, pastaj VLEN. Bekim Qoku është kryetar i grupit parlamentar të VLEN, pjesë përbërëse e kryesisë së ngushtë dhe parashihet të jetë në pozitën e nënkryetarit,” tha Mexhiti.
