Policia e Maqedonisë së Veriut këto ditë po zhvillon kontrolle të çantave të nxënësve të shkollave të mesme para hyrjeve të shkollave në Shkup, në kuadër të aksioneve për zbulimin e drogës. Nxënësve u kërkohet të tregojnë çfarë kanë në çantat e tyre para zyrtarëve policorë.
Kontrollet po realizohen në hyrjet e disa shkollave të mesme në kryeqytet, ku disa nxënës, me të mbërritur, duhet të hapin çantat, ndërsa policia bën një kontroll vizual të sendeve që ata mbajnë me vete.
Edhe pse qëllimi i aksionit është zbulimi i substancave të paligjshme, deri më tani, sipas informacioneve tona, nuk është gjetur drogë. Ministria e Punëve të Brendshme ende nuk ka njoftuar zyrtarisht nëse dhe çfarë është zbuluar gjatë kontrolleve.
Në vend të kësaj, te disa nxënës janë vërejtur sende si pinca, kaçavida dhe mjete të ngjashme, pas çka ata janë kontrolluar më tej nga policia. Nxënësit kanë shpjeguar se këto mjete i mbajnë për nevoja personale, si për shembull për riparimin e biçikletave me të cilat shkojnë në shkollë.
Ndërkohë, prindërit kanë reaguar ndaj kësaj qasjeje, duke vlerësuar se në vend të kontrolleve masive ndaj nxënësve, institucionet duhet të fokusohen në zbulimin e burimeve të mundshme të drogës. Disa prej tyre thonë se fëmijët e tyre janë ndier të shqetësuar nga mënyra se si janë kryer kontrollet, duke theksuar se qasja e disa zyrtarëve policorë ka qenë e pakëndshme.
