Lajmi ditës

Nita Kaprolli, nga Gostivari drejt majave të inteligjencës artificiale në Amerikë

Nita Kaprolli, nga Gostivari drejt majave të inteligjencës artificiale në Amerikë

Nita Kaprolli është një nga figurat më të spikatura shqiptare në fushën e teknologjisë, shkencës dhe inteligjencës artificiale, një histori suksesi që nis në Maqedoni dhe vazhdon sot në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

E lindur dhe e rritur në Gostivar, Kaprolli u dallua që në moshë të hershme për talentin dhe përkushtimin e saj të jashtëzakonshëm në arsim. Arsimin fillor dhe të mesëm e përfundoi për vetëm 10 vite, duke u avancuar dy herë dhe duke mbyllur nga dy vite shkollimi në një, fillimisht në arsimin fillor dhe më pas në atë të mesëm.

Rruga e saj akademike vijoi me ritëm po aq mbresëlënës. Ajo ndoqi paralelisht dy drejtime universitare, duke u diplomuar në Inxhinieri Kompjuterike, si dhe si profesoreshë e Matematikës dhe Informatikës. Studimet master i përfundoi në fushën “Software Application and Development”, ndërsa më pas vazhdoi specializimin post-magjistraturë në Massachusetts Institute of Technology (MIT), një nga universitetet më prestigjioze në botë për teknologji informatike.

Në MIT, në programin “Applied Data Science – Leverage AI”, nën udhëheqjen e profesorit John Tsitsiklis, ajo u dallua me një mesatare prej 97 për qind, duke konfirmuar edhe një herë nivelin e saj të lartë profesional dhe akademik.

Talenti i saj është shfaqur që në fëmijëri, ku për vetëm tre vite fitoi 16 çmime në nivele komunale, republikane dhe ndërkombëtare, në fusha shkencore dhe në artin e të shkruarit. Në matematikë, ajo arriti vendin e dytë në gara republikane, ndërsa gjatë studimeve universitare, në vitin e tretë, u shpall oratorja më e mirë ndër të gjitha universitetet shtetërore dhe private.

Përveç shkencës, Kaprolli ka kultivuar edhe talentin artistik. Ajo nisi të shkruajë në moshën 11-vjeçare dhe është autore e librit “Po vij”, i financuar nga Ministria e Kulturës, si një poete e dalluar. Gjithashtu, ka drejtuar disa emisione televizive, ndër to edhe emisionin për fëmijë “Cicerimat e para”, për tre vite me radhë.

Karriera e saj profesionale përfshin edhe gazetarinë, ku ka punuar si gazetare dhe kolumniste, si dhe është vlerësuar me çmimin e parë në nivel kombëtar për autorësinë e emisionit “Sofra kulturore”.

Në moshën 23-vjeçare, ajo u shpërngul në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku karriera e saj mori përmasa ndërkombëtare. Fillimisht u angazhua si Data Scientist në Managed Healthcare Associates, pjesë e Roper Technologies, një nga organizatat më të mëdha GPO në SHBA.

Falë projekteve të suksesshme në automatizim dhe inteligjencë artificiale, në vitin 2025 u nderua me Çmimin Presidencial, një nga vlerësimet më prestigjioze të kompanisë.

Aktualisht, Nita Kaprolli drejton departamentin e automatizimit, që përfshin gjashtë departamente, ku udhëheq transformimin teknologjik dhe optimizimin e proceseve, duke kontribuar drejtpërdrejt në rritjen e të ardhurave dhe performancës organizative.

Në planin akademik, ajo ka publikuar edhe punime shkencore në fushën e machine learning, përfshirë studimin mbi parashikimin e demencës, ndërsa aktualisht po punon në një tjetër projekt kërkimor njëvjeçar të financuar nga Roper Technologies.

Paralelisht, ajo shërben si ligjëruese në King’s College, në departamentin e CSI, ku ligjëron lëndën “Programim i avancuar” dhe mbështet studentët në certifikim dhe integrim në tregun ndërkombëtar të punës.

Vizioni i saj mbetet i qartë: të mbështesë studentët shqiptarë në rrugën drejt universiteteve prestigjioze të Ivy League, të krijojë një inkubator teknologjik dhe të kontribuojë në integrimin profesional të tyre në SHBA.

Historia e Nita Kaprollit është dëshmi se përkushtimi, talenti dhe puna e palodhur mund të çojnë një vajzë shqiptare nga bankat e shkollës në Maqedoni drejt majave të teknologjisë botërore.

Ndaj / Сподели