Lajmi ditës

Daut Memishi: Kemi pastruar deponitë ilegale në pothuajse çdo fshat, javën e ardhshme ndërhyjmë edhe në Gllogjë

Daut Memishi: Kemi pastruar deponitë ilegale në pothuajse çdo fshat, javën e ardhshme ndërhyjmë edhe në Gllogjë

Kryetari i Komunës së Tearcës, Daut Memishi, ka deklaruar se deponitë ilegale të mbeturinave mbeten një nga problemet kryesore mjedisore në territorin e komunës, duke theksuar se mungesa e një menaxhimi serioz të mbeturinave ndër vite ka ndikuar në krijimin e kësaj situate. Memishi bëri të ditur se komuna ka ndërhyrë në pastrimin e deponive ilegale në pothuajse të gjitha fshatrat, ndërsa javën e ardhshme është planifikuar edhe pastrimi i deponisë në fshatin Gllogjë.

Sipas tij, në këtë lokacion gjenden sasi të mëdha mbeturinash, përfshirë edhe mbetje inerte të sjella që nga viti 2015 nga Komuna e Tetovës, pas vërshimeve në fshatin Poroj.

“Fatkeqësisht, pothuajse në çdo fshat ka një deponi ilegale. Për këtë nuk mund t’i fajësojmë qytetarët, pasi ndër vite nuk ka pasur një qasje serioze të menaxhimit të mbeturinave. Ne kemi intervenuar në çdo fshat me pastrimin e deponive, përveç në fshatin Gllogjë, ku javën e ardhshme planifikojmë ta pastrojmë edhe atë deponi”, deklaroi Memishi.

Kreu i Tearcës foli edhe për sfidat që lidhen me menaxhimin e mbeturinave, duke theksuar se ky problem është kompleks dhe kërkon angazhim të përbashkët të institucioneve dhe qytetarëve. Ai u bëri thirrje familjeve që të sigurojnë pajisje të përshtatshme për hedhjen e mbeturinave, ndërsa për sasitë më të mëdha, veçanërisht mbetjet inerte, të njoftojnë paraprakisht komunën, në mënyrë që institucionet të ndërhyjnë për trajtimin e tyre.

“Unë do t’i lusja të gjitha shtëpitë që të furnizohen me pajisje ku duhet t’i hedhin mbeturinat. Gjithashtu, kur të kenë hedhje më të mëdha të mbeturinave, të lajmërojnë Komunën dhe ne do të mundohemi t’i rehabilitojmë, sidomos mbetjet inerte, pasi ato na krijojnë më shumë probleme në komunën tonë”, u shpreh Memishi. Në fund, ai theksoi se mbetet i përkushtuar për realizimin e premtimeve të dhëna gjatë fushatës zgjedhore, duke shprehur shpresën se ato do të përmbushen deri në fund të mandatit./Tema.mk

Ndaj / Сподели