Prej gati një muaji nuk ka asnjë gjurmë të 27-vjeçarit Shemo Shabani nga Gostivari, i cili më 13 tetor është larguar nga shtëpia dhe nuk është kthyer më. Pavarësisht masave të ndërmarra nga policia dhe kërkimeve në terren, deri më tani ai nuk është gjetur.
Më 21 tetor, ekipet e Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, në koordinim me policinë dhe shërbimet lokale, kanë kontrolluar shtratin e lumit Vardar në rajonin e Gostivarit, raportoi 4news.mk. Në aksion kanë marrë pjesë pjesëtarë të Ekipit për Reagim të Shpejtë për Shpëtim në Ujëra, të cilët kanë kontrolluar pikat kritike nga zona urbane deri në pjesët e poshtme të lumit.
Të nesërmen u bë e ditur se Shabani nuk ishte gjetur, edhe pse ekipet e shpëtimit kishin kontrolluar në detaje rreth dhjetë pika kritike përgjatë lumit.
Në kuadër të hetimeve, policia ka marrë në pyetje persona që kishin pasur kontakte me të pak para zhdukjes. Gjithashtu, janë kontrolluar pamjet e kamerave të sigurisë dhe informacionet për lëvizjet e tij. Është kërkuar edhe ulja e nivelit të ujit të Vardarit për të lehtësuar kërkimet.
Fotografia e Shabanit është publikuar edhe në faqen zyrtare të Ministrisë së Punëve të Brendshme, në rubrikën për personat e zhdukur.
Qytetarët që kanë çfarëdo informacioni që mund të ndihmojë në gjetjen e tij ftohen ta paraqesin atë në stacionin më të afërt policor.
