Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, paralajmëroi për “pasoja shkatërruese” në Jemen, mes përshkallëzimit të konfliktit.
“Konflikti në përshkallëzim në Jemen po shkakton pasoja shkatërruese. Gati 1,000 njerëz janë vrarë, më shumë se 4,200 janë plagosur dhe pothuajse 198,000 janë zhvendosur që nga përshkallëzimi i fundit, mes shpërthimeve të kolerës dhe fruthit”, tha Tedros. Nevoja e menjëhershme për financim e OBSH-së është më shumë se trefishuar, nga 9 milionë dollarë në 31 milionë dollarë, për shkak të nevojave në rritje, tha ai në kompaninë amerikane të mediave sociale X.
“U bëjmë thirrje urgjente donatorëve që të rrisin mbështetjen e tyre. Jetët varen nga ndihma humanitare dhe shëndetësore”, shtoi Tedros.
Jemeni është përfshirë nga konflikti që nga koha kur Huthit morën kontrollin e kryeqytetit Sana dhe të disa provincave në shtator 2014, duke nxitur një koalicion të udhëhequr nga Arabia Saudite të ndërhynte në mars 2015 në mbështetje të qeverisë së njohur ndërkombëtarisht.
Përplasjet mes forcave qeveritare dhe Huthive rifilluan në korrik, duke shënuar luftimet më intensive që nga një periudhë qetësie relative pas një armëpushimi të ndërmjetësuar nga OKB-ja, i cili filloi në prill 2022.
Luftimet u intensifikuan në shtator, kur Huthit morën kontrollin e zonave kyçe në provincat Al-Hudajdah dhe Taiz, përfshirë qytetin strategjik Mokha dhe ishullin Mayyun, me pamje nga ngushtica Bab el-Mandeb./AA
