Një ngjarje e rëndë me armë zjarri ka tronditur të martën qytetin e Turgutlus, në provincën Manisa të Turqisë, ku një person ka hapur zjarr pranë një shkolle të mesme profesionale, duke plagosur të paktën 11 persona.
Ngjarja ndodhi rreth orës 08:00 të mëngjesit. Sipas raportimeve të fundit, të plagosurit janë nxënës të shkollës, ndërsa dy prej tyre ndodhen në gjendje të rëndë. Të plagosurit janë transportuar në disa spitale të zonës për të marrë trajtim mjekësor.
Autori dyshohet se është nxënës 15-vjeçar
Policia ka arrestuar të dyshuarin menjëherë pas ngjarjes, një 15 vjeçar, i cili dyshohet se ka qenë nxënës i shkollës. Sipas Associated Press, adoleshenti dyshohet se ka përdorur një pushkë gjahu të marrë nga shtëpia e gjyshes së tij dhe ka qëlluar pranë shkollës përpara se të largohej nga vendngjarja dhe ëpr tu arrestuar pas pak minutash nga policia.
Autoritetet turke kanë nisur një hetim për zbardhjen e rrethanave dhe motivit të sulmit. Ministri turk i Drejtësisë, Akin Gürlek, tha se motivi ende nuk është përcaktuar, ndërsa hetuesit po shqyrtojnë edhe pretendime se nxënësi mund të ketë qenë viktimë e bullizmit në shkollë.
Prindërit dhe gjyshi i të dyshuarit janë marrë gjithashtu në pyetje.
Ngjarja ka shkaktuar panik në mesin e prindërve, të cilët u mblodhën pranë shkollës pas të shtënave. Forcat e policisë bllokuan zonën ndërsa vijonin procedurat hetimore.
