Tre shtetas të maqedonisë kanë humbur jetën në një aksident të rëndë trafiku që ka ndodhur pasditen e sotme në autostradën Primorska në Slloveni, në segmentin mes Unecit dhe Ravbarkomandës, në drejtim të Koperit.
Sipas informacioneve nga Drejtoria e Policisë së Koperit, aksidenti është raportuar në orën 16:28, raportoi 4news.mk.
Sipas të dhënave fillestare, një automjet në të cilin udhëtonin dhjetë shtetas maqedonas është përplasur në pjesën e pasme të majtë të një kamioni, i cili për shkak të një defekti ishte ndaluar në një hapësirë anësore të autostradës.
Mjeku në vendngjarje ka konstatuar vdekjen e tre personave, ndërsa dy pasagjerë të tjerë kanë pësuar lëndime të rënda. Njëri prej tyre është transportuar me urgjencë me helikopter në spital, ndërsa shoferi i automjetit është dërguar në spital me autoambulancë.
Në vendin e aksidentit kanë dalë prokurori publik kujdestar dhe gjyqtari hetues, të cilët po drejtojnë këqyrjen e vendngjarjes.
Autostrada në drejtim të Koperit është mbyllur plotësisht për qarkullim, duke shkaktuar kolona të gjata dhe bllokim të trafikut. Automjetet janë devijuar në rrugët rajonale përmes daljes në Unec, ndërsa automjetet e transportit të rëndë po nxirren nga autostrada te Logateci.
Për shkak të uljes së helikopterit mjekësor, për një periudhë të shkurtër është bllokuar edhe drejtimi i kundërt, në drejtim të Lubjanës.
Policia sllovene u ka bërë thirrje të gjithë shoferëve të bllokuar në kolonë që, për arsye sigurie, të mos i braktisin automjetet e tyre dhe të mundësojnë kalimin e automjeteve të shërbimeve emergjente.
Autoritetet kanë paralajmëruar se detaje të tjera do të bëhen të ditura pas përfundimit të veprimeve të para hetimore.
