Bota

Netanjahu i shqetësuar që Trumpi mund të shpallë armëpushimin të shtunën

Netanjahu i shqetësuar që Trumpi mund të shpallë armëpushimin të shtunën

Izraeli është i shqetësuar se presidenti i SHBA-ve Donald Trump, mund të shpallë një armëpushim me Iranin që të shtunën e ardhshme, madje edhe para përfundimit të marrëveshjeve me Teheranin mbi propozimin 15-pikësh të Uashingtonit për përfundimin e luftës.

Të paktën kështu raporton Channel 12, duke cituar zyrtarë të lartë izraelitë.

Si përgjigje, udhëheqja politike dhe e sigurisë e Izraelit ka hartuar gjatë ditës së fundit një plan që prioritizon objektivat në Iran për të siguruar “arritjet maksimale” para një opsioni të ndërhyrjes së SHBA-ve për të ndaluar luftimet.

“Probabiliteti i një marrëveshjeje të detajuar dhe gjithëpërfshirëse midis Iranit dhe SHBA-ve mbetet i ulët, por mundësia e një marrëveshjeje më të përgjithshme është e mundshme, gjë që kërkon përgatitje nga pala izraelite,” thonë zyrtarët izraelitë.

Sipas “The Times of Israel“, kryeministri Benjamin Netanyahu po diskuton aktualisht çështjen në një takim me zyrtarë të lartë të mbrojtjes, përfshirë shefin e Mossad-it, David Barnea, shefin e Shtabit të Përgjithshëm të IDF-së, Eyal Zamir, dhe ministrin e Mbrojtjes Israel Katz, si dhe disa ministra dhe anëtarë të koalicionit. Ndërsa, pritet gjithashtu që të mblidhet edhe kakabineti sigurisë.

Kjo fundjavë shënon javën e katërt të fushatës SHBA-Izrael kundër Iranit, për të cilën SHBA-të kanë caktuar një afat prej katër deri gjashtë javësh. Sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, tha mbrëmë se Uashingtoni është “përpara kohe dhe po performon në mënyrë jashtëzakonisht të mirë,” dhe është “shumë pranë arritjes së objektivave kryesore të operacionit.”

Në një raport, zyrtarë të lartë amerikanë i thanë Channel 12 se nuk ka plan për të shpallur armëpushim në këtë fazë, dhe se Uashingtoni ende nuk ka marrë një përgjigje formale nga Irani mbi propozimin e tij 15-pikësh.

Ndaj / Сподели