Sektori për Punë të Brendshme në Manastir ka arrestuar dy persona të dyshuar për shkaktimin e zjarreve në hapësira të hapura, në një periudhë kur vendi përballet me temperatura jashtëzakonisht të larta dhe rrezik të shtuar për shpërthimin e zjarreve.
Sipas informacioneve nga Ministria e Punëve të Brendshme, dje rreth orës 17:00, në fshatin Sarandinovë, komuna e Dollnenit, policia e Prilepit ka privuar nga liria 76-vjeçarin G.A. nga Shkupi, i dyshuar për shkaktimin e zjarreve në hapësira të hapura.
Po të njëjtën ditë, në fshatin Greshnicë, komuna e Makedonski Brodit, policia ka arrestuar edhe një 45-vjeçar nga i njëjti fshat. Ai dyshohet se në disa raste ka ndezur zjarre në ambiente të hapura, ndërsa është kapur në flagrancë nga policia në zonën mes fshatrave Greshnicë dhe Sllatinë, teksa përsëri po i vinte zjarrin hapësirës.
Nga MPB njoftojnë se pas dokumentimit të plotë të rasteve, ndaj të dy personave do të parashtrohen kallëzime penale përkatëse.
Incidentet ndodhin në një kohë kur, sipas të dhënave më të fundit të Sistemit Informativ Maqedonas për Zjarret në Pyje, pothuajse i gjithë territori i vendit është i shënuar me indeks të lartë meteorologjik të rrezikut nga zjarret.
Autoritetet u bëjnë apel qytetarëve për kujdes maksimal, të shmangin lëvizjen dhe qëndrimin në zonat pyjore gjatë periudhave më të nxehta të ditës dhe të respektojnë rreptësisht ndalesat për ndezjen e zjarreve në hapësira të hapura.
