Lajmi ditës

Çfarë po ndodh? Në mesin e kaosit të trafikut veror u shty afati për përfundimin e Qarkores së Tetovës!

Çfarë po ndodh? Në mesin e kaosit të trafikut veror u shty afati për përfundimin e Qarkores së Tetovës!

Ndonëse punimet për rrethrrotullimin në rrugën rajonale Tetovë – Jazhincë, konkretisht në fshatin Neproshten ku do të del qarkorja që po ndërtohet, ishin planifikuar të përfundojnë deri me 15 korrik, në mes të sezonit veror kur edhe ngarkesat në trafik shtohen, afati i punimeve është shtyrë deri në shtator, shkruan Portalb.mk.

Banorët e zonës, veçanërisht mërgimtarët vazhdimisht ankohen në redaksinë e Portalb.mk për zvarritjen e punimeve në fshatin Neproshten (rruga rajonale Tetovë-Jazhincë), kërkojnë nga autoritetet t’i përshpejtojnë punët dhe rreth-rrotullimi të përfundojë.

“Ka dy javë jam këtu, çdo ditë kaloj dhe ngec në kolonë, kjo nuk është normale, punohet shumë ngadalë. Pse kanë pritur verën që të punojnë në këtë pjesë, le ta përfundonin më herët, ky projekt ka filluar që moti”, tha një mërgimtar.

“Seriozisht më ka ardhur në maje të hundës, na malltretojnë çdo ditë me kolona, pluhur etj etj. A mban përgjegjësi dikush për këtë tortrurë që po na bëhet”, tha një mërgimtar tjetër.

“Nuk është në rregull të zhagiten kaq gjatë punimet, moti ka filluar dhe nuk janë duke e përfunduar, unë nuk e di a po i zvarrisin me qëllim punimet apo çfarë”, tha një qytetar.

Ndonëse afati për përfundimin e kësaj pjese ishte deri më 15 korrik, kjo nuk u bë. Nga Ndërmarrja Publike e Rrugëve Shtetërore për Portalb.mk bënë të ditur se afati është shtyrë deri në shtator.

“Punimet në qarkore po zhvillohen me intensitet të shtuar të trafikut, gjë që po e ngadalëson ritmin e aktiviteteve ndërtimore. Kontraktori po bën përpjekje dhe angazhim maksimal që punimet të përfundojnë sa më shpejt, në mënyrë që të shmangen bllokimet e mëdha në komunikacion. Megjithatë, për shkak të pamundësisë për të përshpejtuar më tej procesin, afati është shtyrë deri më 1 shtator”, thanë nga NP “Rrugët Shtetërore”.

Ndaj / Сподели