Lajmi ditës

Osmani: Zëri evropian i shqiptarëve është shndërruar në asgjë

Osmani: Zëri evropian i shqiptarëve është shndërruar në asgjë

“Këtë e thotë Brukseli. Këtë e thotë Parlamenti Evropian, i cili rikujton se rruga drejt Brukselit vazhdon të kalojë përmes Ohrit. Në raportin e tij të fundit konstaton qartë regres dhe kërkon angazhim të ripërtërirë politik për vazhdimin e rrugës evropiane…”, tha Osmani

Shkup, 29 qershor – Nënkryetari i BDI-së dhe ish-ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ka akuzuar koalicionin VLEN se ka dështuar plotësisht në përmbushjen e premtimeve për avancimin e procesit të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut, duke vlerësuar se për dy vjet qeverisje vendi nuk ka shënuar asnjë përparim substancial drejt Bashkimit Evropian. Në një konferencë për media, në kuadër të fushatës së BDI-së “Dy vite nënçmim – VLEN asgjë”, Osmani tha se dështimi më i madh i VLEN-it është “shkatërrimi i idesë evropiane”, me pasoja të drejtpërdrejta për shqiptarët, përcjll gazeta KOHA.

“Ne shqiptarët në këtë shtet gjithmonë kemi qenë motori i orientimit euroatlantik të vendit. Kjo sepse Evropa është përkatësia jonë, kurse integrimi evropian ka qenë gjithmonë i lidhur drejtpërdrejt me të drejtat individuale dhe kolektive të shqiptarëve. VLEN doli para qytetarëve me një premtim shumë të qartë: se do ta përshpejtojë rrugën evropiane, se do të sjellë energji të re, dinamikë të re dhe kredibilitet të ri në Bruksel dhe se këtë do ta realizojë brenda gjashtë muajve të parë të qeverisjes së përbashkët me VMRO-në dhe ZNAM-in. Dy vite më vonë, rezultatet janë dëshpëruese. Shteti nuk ka bërë as edhe një hap të vetëm substancial drejt Bashkimit Evropian. Në vend të përshpejtimit kemi stagnim, në vend të reformave kemi improvizime, ndërsa në vend të agjendës evropiane kemi politikë ditore”, deklaroi Osmani.

Ndaj / Сподели