Lajmi ditës

TRAGJEDI NË KSAMIL: Humb jetën 22-vjeçari Albiano Kreçi pas përplasjes me skafin e Policisë Kufitare

TRAGJEDI NË KSAMIL: Humb jetën 22-vjeçari Albiano Kreçi pas përplasjes me skafin e Policisë Kufitare

Një ngjarje e rëndë ka tronditur mbrëmjen e sotme Ksamilin, ku një aksident detar i regjistruar në Ksamil i ka marrë jetën një të riu 22-vjeçar. Viktima është Albiano Kreçi, banor i Ksamilit, i cili humbi jetën pas përplasjes së mjetit lundrues që drejtonte me skafin e Policisë Kufitare të Sarandës.

Sipas informacioneve të para nga vendngjarja, aksidenti ndodhi rreth orës 18:30. Përplasja shkaktoi alarm të menjëhershëm në zonë, ndërsa forca të shumta policie, mjete të Policisë Kufitare dhe ekipet e emergjencës u angazhuan në operacionin e shpëtimit.

Në njoftimin zyrtar, Policia bën me dije se 22-vjeçari po lundronte me një mjet tip “jet car” (makinë lundruese) dhe dyshohet se, si pasojë e lundrimit me shpejtësi, është përplasur me skafin e Policisë Kufitare, i cili ndodhej i stacionuar rreth 400 metra larg bregut, në monitorim të hapësirës detare.

Menjëherë pas aksidentit, punonjësit e Policisë Kufitare dhe drejtues të tjerë të mjeteve lundruese që ndodheshin në afërsi ndërhynë për ta nxjerrë të riun nga deti. Ai u transportua me urgjencë drejt Spitalit të Sarandës, por fatkeqësisht nuk mundi t’u mbijetojë plagëve të marra nga përplasja.

Lajmi i humbjes së jetës së Albanio Kreçit ka sjellë trishtim të thellë në Ksamil, ku ai njihej nga shumë banorë si një i ri i lindur dhe rritur në këtë qytet bregdetar.

Pas ngjarjes, është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP), nën drejtimin e Prokurorisë, po kryhen të gjitha veprimet procedurale për të zbardhur plotësisht rrethanat e aksidentit dhe për të përcaktuar shkaqet që çuan në këtë tragjedi.

Ky është një prej aksidenteve më të rënda detare të regjistruara në zonën e Ksamilit, duke rikthyer edhe një herë vëmendjen te siguria në lundrim gjatë sezonit turistik.

Saranda Web i shpreh ngushëllimet familjes, të afërmve dhe miqve të të ndjerit Albiano Kreçi.

Ndaj / Сподели