Lajmi ditës

Provokim i ri ndaj shqipes! Stoilkoviqi i shpall “luftë” Agjencisë për Zbatimin e Gjuhëve

Provokim i ri ndaj shqipes! Stoilkoviqi i shpall “luftë” Agjencisë për Zbatimin e Gjuhëve

Provokimet e zëvendëskryeministrit dhe ministrit për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, Ivan Stoilkoviq, ndaj institucioneve që lidhen me zbatimin e gjuhës shqipe duket se po thellohen edhe më tej. Pas akuzave për keqtrajtim të punonjësve shqiptarë në ministrinë që ai drejton, tani në qendër të presionit është vënë Agjencia për Zbatimin e Ligjit të Gjuhëve, institucion që udhëhiqet nga Granit Osmani, kuadër i VLEN-it.

Sipas informacioneve te të cilët ka arritur gazeta KOHA, me urdhër të Stoilkoviqit, gjatë ditës së sotme është hequr tabela informuese “Agjencia për Zbatimin e Gjuhëve” nga korridori i katit të tretë të ministrisë ku edhe gjendet Agjencia, ndërsa janë mbuluar edhe materiale të tjera identifikuese të institucionit të vendosura në muret e korridorit.

Zyrtarisht, arsyetimi ka qenë se bëhet fjalë për renovim dhe se tabelat mund të rikthehen pas përfundimit të punimeve. Megjithatë, brenda institucionit – tek punonjësit shqiptarë, ekziston mosbesim i madh ndaj këtij sqarimi, sidomos duke pasur parasysh raportet e tensionuara që prej fillimit të mandatit të Stoilkoviqit.

Çështja e hapësirave të Agjencisë për Zbatimin e Gjuhëve ishte hapur që në muajt e parë të qeverisë VMRO-ZNAM-VLEN. Që në fillim të mandatit të tij, Stoilkoviqi kishte kërkuar që Agjencia të zhvendosej – fillimisht në katin e parë të ndërtesës, në hapësira ku aktualisht ndodhet Inspektorati për Zbatimin e Gjuhëve, hapësira që konsiderohen të pamjaftueshme edhe për vetë Inspektoratin.

Burime brenda institucionit bëjnë të ditur se në atë periudhë kishte pasur debate dhe kundërshtime verbale, ndërsa situata ishte qetësuar përkohësisht. Por zhvillimet e sotme vlerësohen si rikthim i presionit për largimin e Agjencisë nga objekti i ministrisë.

Ndryshe, gjatë kohës kur ministër për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive ishte Artan Grubi, Qeveria kishte marrë vendim që Agjencisë për Zbatimin e Gjuhëve t’i ndaheshin 350 metra katrorë në katin e tretë të ministrisë. Përveç kësaj, me marrëveshje dhe mirëkuptim institucional, Agjencia kishte fituar edhe hapësira shtesë për funksionim normal. Megjithatë, me ardhjen e Stoilkoviqit në krye të ministrisë, hapësirat pa vendim qeveritar iu morën Agjencisë, ndërsa tani po shtohen dyshimet se institucioni mund të detyrohet të largohet tërësisht nga ndërtesa.

Situata bëhet edhe më paradoksale nga fakti se edhe Agjencia për Zbatimin e Gjuhëve, por edhe Inspektorati për Zbatimin e Gjuhëve, drejtohen nga kuadro shqiptare të VLEN-it, ndërsa përballë zhvillimeve të fundit ende nuk ka reagim publik nga drejtuesit e tyre.

Ndaj / Сподели