Një nga dëshmitë ishte edhe ajo e Sami Ukshinit – komandant Sokolit që po ua risjellim në vijim.
Sokoli: Ja kush organizoi 9 Majin
Në njërën nga seancat e fundit gjyqësore ku po gjykoheshin të akuzuarit për rastin “Kumanova- Lagjja e Trimave” është rrëfyer Sami Ukshini, i njohur në opinion si “Sokoli”- nofkë kjo e tij që nga konflikti i vitit 2001.
Në pyetjen e avokates mbrojtëse Artene Ademi Iseini se kur, pse dhe për çfarë arsye ka ardhur Sami Ukshini në Maqedoni, ky i fundit me përgjigje:
“Arsye ka shumë. Megjithatë, kryesorja është se: këtu kam qenë edhe në vitin 2001 si organizatorë i UÇK-së. Ushtria atëherë u demobilizua si rezultat i Marrëveshjes së Ohrit, por ajo nuk u respektua asnjëherë e nuk respektohet deri më sot. Në kushte normale duhej të realizohet deri më vitin 2004. Ndodhi e kundërta, ky shtet i fryu nacionalizmit. Kujtoj se unë jam patriot dhe jo shovinist. Arsye tjetër është se i kam njohur disa pjesëtar të grupit. Kam mundur të vijë edhe pas 2004-ës, por këtë e pata lënë si një realitet të hidhur”.
Çfarë qëllimi kishin?- vazhdoi me pyetje avokatja.
“Qëllimi ishte Marrëveshja e Ohrit, por jo të kryejmë sulm, siç pretendon policia”
Avokatja: A keni mundur t’i qëlloni policët? Theksuat se i keni parë ditë më parë në lagje.
“Nuk kemi pasur asi qëllimi”, përgjigjet kategorikisht Sokoli.
Avokatja: Kur filloi konflikti a tentuat ta ndalni?
“Unë s’kam pasur telefon sulmi ishte masiv. Kur ndërhyri policia ne mbetëm të ndarë në dy grupe. Mirsadi dhe Begu ishin në grupin tjetër. Në tanë kohën kemi tentuar me mbijetuar. Shefqet Kallaç ka kontaktuar me OSBE. Policia asnjëherë s’ka qenë e interesuar që ne të dorëzohemi. Aty shihet qëlllimi i tyre për të na eliminuar. Ndjej keqardhje për ata që kanë humbur jetën, nga të dy palët.
