Kamerat moderne mund të jenë shumë të vogla, të lidhen me internetin dhe të transmetojnë pamje e zë nga distanca. Disa regjistrojnë edhe pa Wi-Fi, ndërsa të tjera bëhen rrezik serioz nëse kanë fjalëkalime të dobëta, konfigurime të pasigurta ose bien në duar të paautorizuara. Rreziku lidhet edhe me pajisje që regjistrojnë vetëm zë, pa lente të dukshme.
Kamerat e vogla dhe pajisjet inteligjente janë bërë shumë më të qasshme. Shumë prej tyre kontrollohen përmes telefonit, mund të transmetojnë drejtpërdrejt dhe t’i ruajnë regjistrimet në cloud ose në kartë memorie.
Prandaj mbrojtja e privatësisë nuk kufizohet vetëm te kërkimi i një lenteje të fshehur. Duhet të dimë edhe nëse pajisja mund të regjistrojë zë, nëse transmeton nga larg, ku ruhen regjistrimet dhe sa e sigurt është vetë pajisja ose llogaria që e kontrollon.
Filloni me një kontroll të thjeshtë të hapësirës
Në hotel, apartament me qira, dhomë gjumi, banjë, dush apo kabinë zhveshjeje, kontrolli i parë duhet të jetë vizual.
Shikoni sidomos objektet që kanë pamje të drejtpërdrejtë drejt shtratit, dushit ose zonës ku ndërrohen rrobat. Vëmendjen duhet ta tërheqin vrimat e pazakonta, sipërfaqet shumë të vogla e të errëta prej xhami, pajisjet e orientuara çuditshëm ose objektet elektronike që nuk duket se kanë arsye të jenë aty.
Kjo nuk do të thotë se çdo detektor tymi, karikues, orë apo pajisje elektronike fsheh kamerë. Një element i pazakontë është vetëm arsye për kontroll më të kujdesshëm, jo provë se po regjistroheni, transmeton Telegrafi.
Fikni dritat dhe kërkoni reflektimin e lentes
Lentet e kamerave mund të reflektojnë dritën. Në një ambient të errësuar, drita e telefonit mund të drejtohet ngadalë drejt objekteve të dyshimta.
Një reflektim i vogël dhe relativisht i fortë mund të jetë indicie se aty ndodhet një sipërfaqe optike. Por kjo metodë nuk është e pagabueshme: xhami, plastika dhe metali gjithashtu reflektojnë dritën, ndërsa një lente e vendosur thellë ose në kënd tjetër mund të mos jetë e dukshme.
Telefoni mund të ndihmojë për kamerat me infra të kuqe
Disa kamera përdorin LED infra të kuqe për të regjistruar në errësirë. Syri i njeriut nuk i sheh këto rreze, por disa kamera telefonash mund t’i perceptojnë.
Një provë e thjeshtë mund të bëhet me telekomandën e televizorit: drejtojeni nga kamera e telefonit dhe shtypni një buton. Nëse në ekran shfaqet dritë e bardhë, rozë ose vjollcë, ajo kamerë mund të perceptojë të paktën një pjesë të rrezatimit infra të kuq.Më pas, në një dhomë të errësuar, mund të kontrolloni përmes kamerës së telefonit nëse shfaqen pika të vogla të ndritshme pranë një pajisjeje të dyshimtë.Megjithatë, shumë telefona modernë filtrojnë infra të kuqen, ndërsa shumë kamera të fshehta nuk përdorin fare ndriçim infra të kuq. Pra, nëse nuk shihni asgjë, kjo nuk dëshmon se kamera nuk ekziston.
