Një shpërthim i rrezikshëm i hantavirusit në anijen turistike “MV Hondius” ka ngritur alarmin ndërkombëtar, ndërsa autoritetet shëndetësore po përpiqen të identifikojnë “pacientin zero” dhe të gjurmojnë kontaktet e personave të infektuar.
Sipas World Health Organization, deri më tani janë regjistruar tetë raste të hantavirusit, pesë prej tyre të konfirmuara laboratorikisht, ndërsa tre persona kanë humbur jetën. Një trup i pajetë ndodhet ende në bord.
Dy pacientë të konfirmuar dhe një rast i dyshuar u evakuuan të mërkurën nga anija. Autoritetet holandeze identifikuan të prekurit si një shtetas holandez 41-vjeçar, një britanik 56-vjeçar dhe një gjerman 65-vjeçar, të cilët do të trajtohen në spitale të specializuara në Evropë.
Kompania holandeze Oceanwide Expeditions, që operon anijen “MV Hondius”, bëri me dije se dy prej të evakuuarve janë në gjendje të rëndë, ndërsa personi i tretë nuk ka simptoma, por kishte pasur kontakt të afërt me një pasagjer gjerman që vdiq në bord më 2 maj.
Ekspertët kanë deklaruar se pasagjerët dyshohet të jenë infektuar me virusin Andes, një variant i Hantavirus që gjendet kryesisht në Argjentinë dhe Kili. Ky virus transmetohet rrallë nga njeriu te njeriu dhe zakonisht kërkon kontakt të ngushtë.
Ekspertja e OBSH-së, Maria Van Kerkhove, deklaroi se “ky nuk është COVID-i i radhës”, por paralajmëroi se bëhet fjalë për një sëmundje serioze infektive që mund të shkaktojë insuficiencë të rëndë respiratore.
