Lajmi ditës

Mickoski ia fik dritën “Gjoka Construction”, Taravari e anulon vetëftesën për Qeveri, ja detajet

Mickoski ia fik dritën “Gjoka Construction”, Taravari e anulon vetëftesën për Qeveri, ja detajet

Lideri i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, tani e përjashton mundësinë që partia e tij të bëhet sërish pjesë e Qeverisë, edhe pse më herët kishte lënë të hapur një rikthim eventual nëse do të kishte garanci për eurointegrimet.Kthesa në qëndrimin e tij vjen pas përgjigjes së kryeministrit Hristijan Mickoski, i cili kërkesën për garanci e relativizoi me deklaratën se “nuk ka garanci më të madhe për eurointegrimet sesa ndërprerja përfundimtare e kontratës me ‘Gjoka Construction’”, shkruan PressOnline.al.

Pas kësaj përgjigjeje, Taravari doli me një ton tjetër. Nga një politikan që fliste për mundësi rikthimi në pushtet me kushte të caktuara, tani ai thotë se Aleanca për Shqiptarët nuk është aspak e interesuar të bëhet pjesë e kësaj Qeverie.

“Në asnjë mënyrë nuk jemi të interesuar të jemi pjesë e kësaj Qeverie, e cila është një orkestër e çakorduar, Qeveri pa vizion dhe pa qëllime të qarta”, deklaroi Taravari për “Slloboden Peçat”, përcjell PressOnline.al

Ai tha se kur VLEN hyri në Qeveri, marrëveshja ishte ndërtuar mbi katër pika kryesore, ku e para ishte eurointegrimi. Sipas Taravarit, pikërisht në këtë pikë vendi sot është më larg sesa në vitin 2024. “Nëse krahasohemi me vitin 2024, tani jemi shumë më larg sesa ishim. Unë nuk shoh vizion te kryeministri”, tha ai.

Megjithatë, deklarata e Taravarit hap dilemë politike: a është ky refuzim një qëndrim parimor, apo përpjekje për ta paraqitur si vendim të vetin një derë që politikisht ia mbylli Mickoski?

Vetëm pak kohë më parë, Taravari nuk e përjashtonte mundësinë e bashkëpunimit me shumicën aktuale. Ai fliste për garanci, para së gjithash për eurointegrimet, duke lënë të kuptohej se rikthimi në pushtet nuk ishte temë e mbyllur. Mirëpo, pas përgjigjes së Mickoskit për “Gjoka Construction”, retorika e tij ndryshoi ndjeshëm.

Tani ai e akuzon Qeverinë për mungesë vizioni, mungesë rezultatesh në ekonomi, dështim në luftën kundër korrupsionit dhe kriminalitetit, si dhe për centralizim të pushtetit në vend të decentralizimit fiskal.

Lëvizjet e shpeshta politike të Taravarit, hyrjet dhe daljet nga qeveritë, si dhe ndryshimi i toneve varësisht nga rrethanat politike, kanë bërë që në opinion të ngrihen dilema për konsistencën e tij politike. Prandaj, deklarata e tij e fundit se nuk dëshiron të jetë pjesë e kësaj Qeverie tingëllon më shumë si përpjekje për ta kontrolluar dëmin politik pas përgjigjes së Mickoskit, sesa si qëndrim i pandryshuar që nga fillimi.

Në këtë kontekst, pas “Gjoka Construction”, Taravari duket se po përpiqet ta mbyllë vetë një derë që paraprakisht ia mbylli politikisht kryeministri Mickoski. (PressOnline.al)

Ndaj / Сподели