Komuna e Tetovës do t’i japë 1,144,484 denarë (rreth 18 mijë euro) Bashkësisë Fetare Islame pasi kjo e fundit ka kërkuar nga komuna që t’ia kthejë tatimin e qarkullimit për riblerjen e kompleksit Arabati Baba Teqe, shkruan Portalb.mk.
Këtë vendim e solli Këshilli Komunal me 23 vota për, asnjë kundër dhe asnjë të përmbajtur.
Ky vendim erdhi pasi Bashkësia Fetare Islame përmes një letre kërkoi nga Komuna e Tetovës t’i kthejë tatimin e qarkullimit për riblerjen e kompleksit Arabati Baba Teqe.
“Duke marrë parasysh faktin se shuma e paguar nga ana e Bashkësisë Fetare Islame e RMV-së për riblerjen e disa pjesëve të kompleksit Arabati nga kompania Teteks është e lartë, dhe kjo ka rezultuar në pagesën e mëdha drejt institucionit tuaj, Myftinia e BFI Tetovë kërkon nga ju të na mundësoni kthimin e tatim qarkullimit gjatë riblerjes së këtij monumenti fetar”, thuhet në letër.
Në arsyetim të kësaj kërkese thuhet se kompleksi do të shërbejë vetëm për aktivitete fetare-sociale dhe nuk do të ketë ndonjë karakter tjetër tregtar apo ekonomik.
“Me këtë vendim i ndahet ndihmë e njëhershme financiare Bashkësisë Fetare Islame të RMV-së – Myftina e Tetovës, në vlerë prej 1,144,484 denarë. Mjetet e nevojshme për realizimin e këtij vendimi në vlerë prej 1,144,484 denarë, do të sigurohen nga Buxheti i Komunës së Tetovës për vitin 2026”, thuhet në vendimin e miratuar nga Këshilli Komunal.
