Pas Jusuf Zejnelit, sot kandidaturën për rektor e ka paraqitur edhe profesori Fehari Ramadani, duke u bërë kandidati i i dytë për të parin e Universitetit të Tetovës. Kandidaturat e tyre pritet ti paraqesin edhe disa profesorë të këtij institucioni arsimor, deri në ditën e fundit, 13 maj, kur edhe mbyllet afati, transmeton Portalb.mk.
Konkursin për rektorin e ardhshëm, Universiteti i Tetovës e shpalli më 4 maj. Ndryshe nga konkursi i fundit, këtë herë kandidatët duhet të plotësojnë dy kushte: të jenë shtetas të RMV-së dhe të jenë profesor të rregullt (ordinar).
Konkursi është i hapur deri më 13 maj.
Për të parin e universitetit pritet të garojë edhe profesori Kenan Ferati, kryetari aktual i Senatit të UT-së.
Garës pritet t’i hyjnë edhe emra të tjerë gjatë ditëve në vijim.
Kujtojmë se konkursi i fundit për rektor në UT u përcoll me shumë bujë, tensione dhe akuza për ndikime politike, ku tre kandidatë u tërhoqën nga gara ku mbeti vetëm Jusuf Zejneli i cili u zgjodh rektor.
Konkursi i vitit 2023 ishte dashur të përfundojë dy vite më parë. Por, konkursi në vitin 2021 nuk u shpall. Ushtrues detyre i rektorit u caktua Reshat Qaili, por ai në këtë detyrë për gjashtë muaj nuk shpalli konkurs për rektor. Më pas, në këtë detyrë në maj 2022 si u.d erdhi Vullnet Ahmeti i cili nuk shpalli konkursin brenda 30 ditëve të parapara si në ligj. Ndërsa nëntorin e vitit 2022 në këtë detyrë si u.d erdhi Kushtrim Ahmeti, i cili njëjtë nuk publikoi shpalljen për zgjedhjen e rektorit në afat prej 30 ditëve. Këto shkelje u konstatuan edhe nga Inspektorati Shtetëror i Arsimit.
