Kryetari i qytetit të Splitit, Tomislav Shuta, ka anuluar koncertin e Dino Merlinit, pasi rreth 20 mijë qytetarë nënshkruan një peticion ku kërkonin që paratë e parapara për honorarin e këngëtarit të shfrytëzoheshin për blerjen e një aparati PET/CT për spitalin e Splitit.
Shuta mbajti një konferencë për media, ku konfirmoi se koncerti i Dino Merlinit, i planifikuar për 30 dhjetor, nuk do të mbahet, raportojnë mediat kroate.
Kryetari i Splitit hodhi poshtë pretendimet se koncertet e Merlinit në qytete të tjera kushtojnë më pak. Ai konfirmoi se honorari i këngëtarit ishte 140.000 euro, ndërsa shuma prej 300.000 eurosh, e përmendur më herët, përfshinte shpenzimet për tre artistë: Dino Merlinin, Jakov Jozinovićin dhe Jelena Rozgën.
“Është e rëndësishme që këto gjëra të sqarohen. Pra, kjo shumë nuk i referohej vetëm Dino Merlinit. Duke qenë se në shoqëri u krijuan ndarje dhe publiku tregoi interesim të madh për këtë çështje, dua të theksoj se gjatë gjithë kohës kam thënë se nuk dëshiroj asnjë ndarje në shoqëri. Këtë e kam bërë të qartë dhe vazhdoj të qëndroj pas këtij qëndrimi”, deklaroi Shuta.
Ai bëri të ditur se ka vendosur të mos e nënshkruajë kontratën me këngëtarin, pavarësisht ofertës së menaxhmentit të tij për të mbuluar një pjesë të shpenzimeve.
“Kam vendosur që kontrata me Dino Merlinin të mos nënshkruhet. Kemi biseduar edhe me menaxhmentin e tij, i cili ofroi të mbulonte një pjesë të shpenzimeve, të vlerësuara në rreth 80.000 euro. Megjithatë, personalisht vendosa që koncerti të anulohet, sepse e gjithë situata mori një drejtim të gabuar dhe publiku u dezinformua. Këtu nuk bëhej aspak fjalë për mundësinë e blerjes së një aparati PET/CT. Për këtë arsye, e kam për detyrë ta informoj publikun se kontrata me Dino Merlinin nuk do të nënshkruhet”, tha kryetari i Splitit.
Kështu, koncerti i shumëpërfolur i Dino Merlinit në Split është anuluar, pas reagimeve të shumta të qytetarëve dhe polemikave rreth kostove të organizimit të programit festiv.
