Tensionet gjeopolitike në rajon kanë ngritur shqetësime të reja për sigurinë, pasi si Irani ashtu edhe Shtetet e Bashkuara kanë dërguar sinjale paralajmëruese ndaj vendeve të Ballkanit. Sipas informacioneve të publikuara, Irani i ka dërguar një notë zyrtare Bullgarisë gjatë muajit të kaluar, duke kërkuar që të mos lejojë përdorimin e aeroporteve të saj nga SHBA për operacione që lidhen me Iranin. Në dokumentin diplomatik të datës 18 mars, Teherani thekson se “rezervon të drejtën të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme” për mbrojtjen e interesave të tij. Autenticiteti i këtij dokumenti është konfirmuar nga zëvendësministri bullgar Marin Rajkov, i cili ka sqaruar se Bullgaria nuk merr pjesë në operacione ushtarake, duke theksuar se marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve mbeten stabile.
Në të njëjtën kohë, edhe Shqipëria ka marrë një paralajmërim nga Ambasada e SHBA-së për rreziqe të mundshme nga grupe të lidhura me Iranin. Ambasada u ka bërë thirrje qytetarëve amerikanë të jenë vigjilentë, duke theksuar se mund të shënjestrohen subjekte të lidhura me interesat amerikane ose me opozitën iraniane në Shqipëri.
Këshilltari për sigurinë në Partinë Demokratike, Xhemal Gjunkshi, e cilësoi këtë paralajmërim si një “sinjal serioz për sigurinë kombëtare”, duke kërkuar reagim institucional dhe masa konkrete nga autoritetet shqiptare.
