Tetova do të jetë sonte në qendër të humorit dhe argëtimit. Edicioni i katërt i spektaklit “Stand Up Tetova” do të mbahet këtë të martë, më 27 tetor, duke sjellë në një skenë pesë emra të njohur të humorit shqiptar. Sipas njoftimit, shfaqja do të fillojë në orën 20:00, në Pallatin e Kulturës në Tetovë. shkruan Nistori.
Në skenën e Pallatit të Kulturës në Tetovë do të ngjiten Valina Muçolli, Avni Shkodra, Kushtrim Qerimi, Sulejman Rushiti dhe Hasim Memishi Sopi, të cilët pritet t’i dhurojnë publikut një mbrëmje të mbushur me humor, batuta dhe situata komike.
Spektakli, i cili tashmë ka arritur në edicionin e katërt, synon të sjellë një tjetër mbrëmje argëtuese për publikun tetovar, përmes interpretimeve individuale dhe humorit që trajton situata të ndryshme nga përditshmëria.
Biletat për këtë ngjarje mund të blihen përmes platformës Standup.mk, ndërsa organizatorët ftojnë artdashësit dhe dashamirët e humorit të bëhen pjesë e edicionit të katërt të këtij spektakli.
“Stand Up Tetova 4” pritet të bashkojë në një mbrëmje humoristë me stile të ndryshme interpretimi, duke i ofruar publikut një mundësi për t’u shkëputur nga rutina e përditshme përmes të qeshurës. /Nistori/
