Lajmi ditës

Britania e lejon ShBA-në që t’ia përdorë bazat për sulme ndaj qendrave iraniane

Britania e lejon ShBA-në që t’ia përdorë bazat për sulme ndaj qendrave iraniane

Mbretëria e Bashkuar e ka miratuar përdorimin e bazave të saj nga Shtetet e Bashkuara për nisjen e sulmeve ndaj qendrave iraniane nga të cilat po vihet në shënjestër Ngushtica e Hormuzit.

Qeveria britanike më parë I kishte lejuar forcat amerikane që t’i shfrytëzonin bazat britanike për operacione për parandalimin e hedhjes së raketave nga Irani që i vinin në rrezik interesat ose jetët britanike, raporton televizioni BBC.

Megjithatë, ministrat britanikë u pajtuan të premten që Shtetet e Bashkuara t’i përdorin bazat britanike edhe për mbrojtjen e anijeve në Ngushticën e Hormuzit.

Britania prapëseprapë nuk do të përfshihet drejtpërdrejt në sulme dhe qeveria thotë se “parimet e qasjes së Mbretërisë së Bashkuar ndaj konfliktit mbeten të njëjta”.

Një zëdhënës qeveritar tha se ministrat u pajtuan të premten që bazat tani të mund të përdoren për “operacione mbrojtëse të ShBA-së” për të vënë në shënjestër “kapacitete që janë duke u përdorur për të sulmuar anije në Ngushticën e Hormuzit”.

Zëdhënësi shtoi se “ministrat e nënvizuan nevojën për depërshkallëzim urgjent dhe një zgjidhje të shpejtë për luftën”.

Ndaj / Сподели