Ceremonitë shumëditore mortore për udhëheqësin e ndjerë suprem të Iranit, ajatollah Ali Khamenei, kanë nisur, por ende nuk ka pasur asnjë paraqitje publike të djalit të tij, Mojtaba Khamenei, i cili e pasoi në këtë post.
Qytetarë të shumtë u mblodhën në kompleksin e madh të lutjeve Grand Mosalla në Teheran që nga orët e para të 4 korrikut, ndërsa autoritetet thanë se presin deri në 20 milionë pjesëmarrës gjatë ceremonive gjashtëditore. Masat e sigurisë rreth kompleksit janë jashtëzakonisht të rrepta. Policia kundër trazirave dhe forca të tjera të sigurisë janë dislokuar në të gjithë zonën, rrugët përreth Grand Mosallas u mbyllën disa orë para nisjes së ceremonive dhe, sipas raportimeve, autoritetet krijuan një zonë ku ndalohet qarkullimi i automjeteve në një rreze prej më shumë se një kilometri nga vendi i ngjarjes.Mediat iraniane raportuan se pjesëmarrësit brohorisnin “hakmarrje”, ndërsa mblidheshin për t’i bërë nderimet e fundit Khameneit, i cili u vra ditën e parë të luftës mes Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe Iranit, më 28 shkurt.
